Pas pretendimeve të Moskës, se Aleanca ushtarake perëndimore po militarizon Ballkanin Perëndimor me qëllim përballjen me Rusinë dhe se Perëndimi po minon sigurinë në Bosnjë e Hercegovinë, ka reaguar NATO, duke thënë se prania ndërkombëtare ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit, e jo krijimin e konflikteve. Aleanca tha se po vërehen kërcënime secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, për situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, si dhe ngecjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.