Plani i Qeverisë së Malit të Zi për të dhënë me qira përmes disa tenderave hapësirat publike në plazhet e Ulqinit është kundërshtuar ashpër nga partitë shqiptare. Kreu i komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe përfaqësues të tjerë të partive politike shqiptare në Mal të Zi zhvilluan mesditën e së mërkurës një takim me kryeministrin Milojko Spajiç. Pas takimit, Nimanbegu deklaroi se ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me procesin e tenderave që japin me qira plazhet publike të Ulqinit.