Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të kryebashkiakut të Tropojës Rexh Byberi dhe nënkryetarit Abedin Kërnaja. Vendimi u mor gjatë seancës paraprake me dyer të mbyllura, ku trupa gjykuese pranoi kërkesën e Prokurorisë për dërgimin e çështjes në gjyq themeli. Sipas SPAK, dyshohet se paligjshmëritë për të cilat akuzohen kryebashkiaku dhe zëvendësi i tij kanë të bëjnë me hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga këshilli bashkiak. Konkretisht, janë evidentuar punime në kundërshtim me ligjin për rrugët “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe “Qafë Murrizi –Qafë Agri”. SPAK shpjegoi se për kryerjen e punimeve në këto rrugë duhej të aplikohej në sistemin elektronik pranë Bashkisë Tropojë, hap i cili nuk është ndjekur nga titullarët e këtij institucioni.