SHBA kanë dyfishuar shpërblimin për informacione që çojnë në arrestimin e Presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke e cuar atë në 50 milionë dollarë ndërsa e akuzon atë si "një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë". Presidenti amerikan Donald Trump është një kritik i hershëm i Maduros, i cili u rikthye në detyrë në janar pas zgjedhjeve të dëmtuara nga akuzat për manipulim votash. Rezultatet u refuzuan gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Prokurorja e Përgjithshme amerikane Pam Bondi tha se SHBA-të do të dyfishojnë shpërblimin e shpallur tashmë prej 25 milionë dollarësh, dhe tha se Maduro ishte i lidhur drejtpërdrejt me operacionet e kontrabandës së drogës. Ministri i Jashtëm venezuelian Yvan Gil tha se shpërblimi ishte "patetik" dhe e etiketoi atë si "propagandë politike". "Nuk jemi të befasuar aspak duke patur parasysh se nga kush vjen," tha Gil, duke akuzuar Bondin se po përpiqet të "shpërqendrojë vëmendjen" nga titujt kryesorë që lidhen me reagimin negativ mbi trajtimin e çështjes së Jeffrey Epstein. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, qeveria amerikane e akuzoi Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë venezuelianë për një sërë veprash penale, duke përfshirë narko-terrorizmin, korrupsionin dhe trafikun e drogës.