Kryeministri Edi Rama i dorëzoi presidentit të Republikës, Bajram Begaj propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Takimi ‘kokë më kokë’ mes tyre zgjati për rreth 40 minuta dhe u zhvillua në Pallatin e Brigadave. Pas këtij momenti, presidenti Bajram Begaj ka shtatë ditë afat për të bërë verifikimet e duhura dhe për të firmosur dekretet individuale për secilin prej ministrave. Më pas ata duhet të votëbesohen në parlament dhe të betohen në presidencë për të filluar zyrtarisht detyrat qeveritare. Pak ditë më parë, shefi i ekzekutivit, Edi Rama u njoftoi deputetëve dhe ministrave socialistë ndryshimet në kabinet. Pas hetimeve të SPAK, Rama shkarkoi Belinda Ballukun nga funksionet qeveritare dhe e zëvendësoi atë me Albana Koçiun në rolin e numrit dy të qeverisë dhe me Enea Karakaçin në funksionin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.