Grupi parlamentar i Partisë së Lirisë dhe i Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me qëllim kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore. Në dokumentin e dorëzuar në Kuvend, deputetët argumentojnë se dëmtimet e mëdha të rrugëve dhe urave gjatë muajve të fundit, si segmentet Librazhd–Prrenjas, Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Ersekë, Unaza e Burrelit dhe Dardhë–Boboshticë, tregojnë për probleme në planifikimin, projektimin dhe mbikëqyrjen e punimeve.