9 nëntori shënon 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit në Gjermani. Një ngjarje që ndryshoi botën dhe që I hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë pas 41 vitesh ndarjeje. Bashkim që u bë më 3 tetor të vitit 1990, një vit më vonë nga rënia e Murit që ndante Gjermaninë në dy pjesë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 shënon një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe të Evropës. “E pabesueshme” ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të Gjermanisë Lindore iu hapën krejt papritur kufijtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e Gjermanisë Perëndimorë dhe të disa vendeve të tjera duke kërkuar azil politik. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shembjen e plotë të sistemit të sëmurë.