Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra rektoren e Universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi nën dyshimet e korrupsionit. Vendimi i ministrisë është marrë këtë të enjte, ndërkohë që prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet kryesisht në lidhje me rastin. Rektorja Golemi u denoncua nga studentët me akuzën e marrjes së rryshfetit. Sipas studentëve, ajo përfitonte nga 100 deri në 500 euro për t’u vendosur një notë kaluese. Suzana Golemi u zgjodh rektore në Universitetin e Shkodrës në vitin 2020. Ajo doli fitues me 2 vota më shumë se Adem Bekteshi, që e mbante këtë post. Më herët, Golemi ka mbajtur postin e dekanes së departamentit të Biologjisë dhe Kimisë po në Universitetin e Shkodrës.