Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka kërkuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisjen e një hetimi disiplinor ndaj gjyqtares së Korçës, Eglantina Mikani për shkelje të rënda proceduriale në trajtimin e një çështjeje penale ndaj një personi të akuzuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Sipas dokumentacionit të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, vendimi penal është shpallur më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja përkatëse janë depozituar në sekretarinë gjyqësore vetëm më 7 mars 2024, pra me një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh, në kundërshtim flagrant me afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.