Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit, duke sekuestruar 12 pistoleta dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zona të ndryshme të Tiranës. Si rezultat i operacionit të koduar “Barriera”, u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, poseduesi i armëve. Operacioni u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë pas disa javësh hetimesh të kryera me metoda proaktive.