Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim punonjësin e policisë për korrupsion pasiv Gazmir Preçi. Ish-shefi i Sektorit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës akuzohet për kryerjen e veprës penale korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Pas përfundimit të hetimeve, SPAK bën me dije se ka rezultuar se Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe më pas i ka marrë një shumë monetare në vlerën 10 mijë euro një shtetasi në këmbim që të mos ushtronte kontrole në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj. Në njoftim thuhet se hetimet ndaj punonjësit të policisë janë kryer në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.