Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me zyrtarë të lartë në Shqipëri, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Zyrtari i lartë amerikan është takuar me kreun e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho, ministren e Brendshme, Albana Koçiu, si dhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Në një postim në rrjetet sociale, shoqëruar dhe me fotografi nga takimet, ambasada amerikane në Tiranë thekson rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve aleate. “Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”.