Një zjarr ka përfshirë malin e Koshnicës në Skënderbegas të Gramshit pasditen e kësaj të shtune. Zjarri ka djegur një sipërfaqe pylli, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikëses vuri në kontroll flakët pas disa orësh. Në thirrjen drejtuar banorëve të fshatit Skënderbegas, zjarrfikësja e Gramshit kujton situatën e rëndë me të cilën u përball vendi verën e kaluar, ku u dogjën disa shtëpi dhe sipërfaqe të konsideruara pylli. “A nuk mjaftoi vera e kaluar?! Shtëpi të djegura… pyje të shkrumbuara… pasuri të humbura në pak minuta! Sot, historia rrezikoi të përsëritej. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimit zjarrfikës, zjarri u ndal në kohë. Një shkëndijë mjafton, një pakujdesi djeg gjithçka. Mos ndizni zjarr në natyrë, mos digjni mbetje. Mos rrezikoni jetën dhe pasurinë e të gjithëve! Kjo është një thirrje urgjente për çdo banor të njësisë administrative Skënderbegas: Tregoni kujdes maksimal! Sepse zjarri nuk fal” – thuhet në reagimin e zjarrfikëses.