Një zjarr ka rënë sot në fshatin Brate, që bën pjesë në njësinë administrative Bicaj të bashkisë Kukës. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të thepisur, duke vënë në gatishmëri të gjitha strukturat lokale. Ekipet e zjarrfikëses dhe punonjës të njësisë administrative ndodhen në terren, duke luftuar me mjetet e disponueshme për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit. Përpjekjet janë të vështira për shkak të aksesit të kufizuar dhe rrezikut të përhapjes. Zjarri po i afrohet Malit të Gjallicës, i cili është pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik — një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore dhe biodiversitet të mbrojtur. Autoritetet po apelojnë për ndërhyrje më të koordinuar për të parandaluar dëmtimin e kësaj pasurie natyrore.