Mes tensionit në rritje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla do të takohen me presidentin amerikan, Donald Trump, në fund të muajit prill. Pallati mbretëror Buckingham ka konfirmuar vizitën shtetërore të Mbretit dhe Mbretëreshës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Detajet e plota të vizitës mbretërore në SHBA ende nuk janë publikuar, por raportohet se do të përfshijë Uashingtonin DC, në atë që do të jetë vizita e parë shtetërore e Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, që nga vizita e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2007. Presidenti Donald Trump njoftoi, përmes një postimi në Truthsocial, se vizita e Mbretit Charles në SHBA do të jetë midis 27-30 prillit. “Unë dhe Melania kemi kënaqësinë të njoftojmë se Madhëritë e Tyre, Mbreti dhe Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, do të vizitojnë Shtetet e Bashkuara, në një vizitë historike shtetërore, nga 27 deri më 30 prill, e cila do të përfshijë një darkë në Shtëpinë e Bardhë në mbrëmjen e 28 prillit. Pres me padurim të kaloj kohë me Mbretin, të cilin e respektoj shumë. Do të jetë FANTASTIKE!”