Zbulimet e fundit arkeologjike mund të provojnë se të jetuarit në periferitë e qyteteve të mëdha nuk është vetëm një risi e kohëve moderne në Shqipëri. Një zbulim i bërë së fundmi në Durrës dëshmon se dhe në vitet 500 të erës sonë banorët shfrytëzonin zonat periferike për të jetuar larg qendrave ku zhurmonte jeta e përditshme. Gjatë gërmimeve në oborrin e pallatit të sportit “Ramazan Njala” u zbulua dyshemeja e atriumit të një objekti luksoz që i përket shek. VI dhe dëshmon një veçori që nuk haset në pjesën tjetër urbane të asaj periudhe.