Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Pasi Gjykata Supreme rrëzoi të gjitha ankesat e kandidatëve dhe subjekteve politike për rezultatet përfundimtare, KQZ-ja me 11 vota për certifikoi rezultatin. Si parti e parë konfirmohet Lëvizja Vetëvendosje me 51.10% ose 57 ulëse të fituara në Kuvendin e Kosovës. Pas saj, si fuqi e dytë parlamentare është Partia Demokratike e Kosovës me 20.19% të votave ose 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta me 13.24% ose 15 ulëse në parlament dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që mori 5.5% ose gjashtë mandate.