Pas vrasjes së aktivistit 23-vjeçar të ekstremit të djathtë Quentin Deranque (Kuentin Deranke) të premten e kaluar në Lion, autoritetet ndërmorën veprime të menjëhershme. Presidentja e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet (Jaël Braun Pive), pezulloi hyrjen në Parlament për Jacques-Elie Favrot (Zhak Eli Favro), asistent i deputetit Rafael Arnault të partisë së ekstremit të majtë “Franca e Pamposhtur” e themeluar nga Zhan-Luk Melensho, e treta në zgjedhjet presidenciale me 21.95% të votave. I riu Deranque ishte viktimë e një sulmi nga një grup militantësh të së majtës ekstreme. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez e quajti incidentin një "linçim", ndërsa Ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin ishte edhe më i drejtpërdrejtë: "Është e majta ekstreme që e vrau, kjo është e padiskutueshme". Disa dëshmitarë të pranishëm gjatë sulmit përmendën emrin e Jacques-Elie Favrot. Për këtë arsye, Braun-Pivet ka vendosur të pezullojë të drejtën e tij për të hyrë në Asamblenë Kombëtare, duke shpjeguar se "prania e tij brenda mureve të Asamblesë mund të shkaktojë trazira". Përmes avokatit të tij, Favrot "mohoi zyrtarisht përgjegjësinë për këtë tragjedi". Ai shtoi se po merr "kërcënime me vdekje nga e djathta ekstreme në të gjithë vendin dhe Evropën". Hetimi është duke vazhduar, por tensionet politike janë ndezur sërish në Francë, ndërsa nuk kanë munguar protestat në disa qytete.