Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara ose të tjetërsuara për kandidatët. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pasi lexoi gjetjet e raportit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, propozoi edhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, aty ku janë hasur mospërputhjet më të mëdha të rezultateve.