Me dhjetëra banorë në qytetin e Lushnjës u përballën mbrëmjen e të martës me një situatë alarmante, pasi shpërtheu në flakë paneli elektrik në një bllok pallatesh. Tymi dhe flakët rrezikuan banorët, të cilët dolën të alarmuar nga ambientet e apartamenteve, ndërsa pesë prej tyre patën probleme me frymëmarrjen dhe u transportuan me urgjencë në spitalin e Lushnjës. Ngjarja ndodhi në afërsi të Bulevardit të palmave, ku mungesa e energjisë elektrike ka vështirësuar punën e zjarrfikësve dhe efektivëve të policisë, që shkuan për të shpëtuar personat që ndodheshin në banesat e tyre. Shërbimet e zjarrfikësve arritën të vinin nën kontroll shpejt zjarrin, por tymi nga plastikat e kabujve përcjellës ka vështirësuar punën, duke rrezikuar dhe banorët në pallatin 15-katësh, ku ra zjarri.