Një situatë e tensionuar është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Golem të Kavajës, pas konstatimit në rrugë nga policia të një 38-vjeçari që ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”. Rreth orës 19:10, gjatë patrullimit në territor, shërbimet e Postës së Policisë Golem kanë ndaluar për verifikim Adis Barzezin, i cili rezultonte me masë sigurie për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Sipas Policisë, atij i është komunikuar se kishte thyer masën dhe se do të shoqërohej në Komisariatin e Kavajës për veprime të mëtejshme. Në këtë moment, situata është tensionuar. 38-vjeçari, së bashku me kunatin e tij 23-vjeçar, kanë kundërshtuar me forcë efektivët, ndërsa në mbështetje të tyre janë përfshirë edhe familjarë të tjerë. Për të shpërndarë personat dhe për të neutralizuar përplasjen, një nga punonjësit e Policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit.