Sulmi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ka lënë pa ujë të pijshëm banorë të disa komunave që furnizohen nga liqeni i Ujmanit. Pas shpërthimit, qytetarët e Mitrovicës së Veriut janë furnizuar me ujë të pijshëm përmes autoboteve të vendosur në disa pika kyçe nga Korporata Energjetike e Kosovës. Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Mitrovicë ka bërë të ditur se është duke punuar për zgjidhjen e problemit, por ndërkohë qytetarët ankohen se janë detyruar të blejnë edhe bidonë me ujë. Edhe bizneset i kanë ndierë gjithashtu pasojat nga mungesa e ujit. Hidrosistemi i Ibër-Lepencit furnizon me ujë një pjesë të komunës së Prishtinës, Fushë-Kosovën, Obiliqin, Drenasin, Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Skenderajn.