Irani ka goditur me raketa qytetin industrial Ras Laffan, zona ku gjendet një vend i madh i përpunimit të naftës, raporton “BBC”. Kompania e naftës së Katarit, “QatarEnergy”, tha se janë shkaktuar dëme të mëdha. “Ekipet e reagimit emergjent u vendosën menjëherë për të vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa janë shkaktuar dëme të të konsiderueshme”, ka shkruar “QatarEnergy”. Thuhet se nuk ka viktima dhe se zjarri është vënë nën kontroll. Sulmet erdhën pak orë pasi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, paralajmëroi për “pasoja përtej kontrollit”, pas një sulmi në një zonë nafte në territorin iranian. Katari e ka quajtur Iranin kërcënim të drejtpërdrejt për rajonin dhe paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet. “Pala iraniane vazhdon politikat e saja përshkallëzuese që po e shtyjnë rajonin drejt humnerës dhe po tërheqin në konflikt shtetet që nuk janë palë”, është shkruar nga Ministria e Jashtme e Katarit. Katari ka thënë se “rezervon të drejtën për t’u përgjigjur” dhe tha se “nuk do të hezitojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur sovranitetin”. Po ashtu, në Riad të Arabisë Saudite, katër persona janë lënduar nga mbetjet e një rakete balistike iraniane.