SPAK njoftoi se ka kërkuar konfiskimin e pasurive të dy shtetasve që akuzohen se mashtruar dhjetëra qytetarë europianë duke u zhvatur atyre gati shtatë milionë euro përmes Call centre-ve. Vlera e aseteve për të cilat prokuroria e posaçme kërkon t’i kalojnë shtetit llogaritet në 1.9 milionë euro, ku përpos llogarive bankare pjesa më e madhe e pasurive janë apartamente në Tiranë, njësi shërbimi dhe tokë. Por kjo kërkesë e prokurorisë vjen pa kaluar java nga një vendim i gjykatës së Apelit që hodhi poshtë dënimet e Erjon Kasmit dhe Xhulian Xhafës, të dënuar gjatë verës 2024 mbasi u hetuan për mashtrim kompjuterik të kryer në bashkëpunim dhe grup i strukturuar kriminal. Kasmi ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 7.4 vjet burg kurse Xhulian Xhafa ishte dënuar me 6.8 vjet burgim. Nga gjykata e shkallës së parë u shpallën të pafajshëm 11 operatorë, duke lënë në pikëpyetje ekzistencën e grupit kriminal. Pas apelimit ndaj tyre apeli e prishi vendimin dhe urdhëroi rigjykimin e të akuzuarve që përmes Bluenergji Call kryen thirrjet mashtruese me ftesën për të investuar në bursa.