Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme “nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”, ndërsa bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit dhe respektimin e rendit ndërkombëtar. Duke folur gjatë takimeve vjetore politike në Pekin, të njohura si “Dy Sesionet”, ai kritikoi idenë e ndryshimit të regjimit në Iran, një objektiv që është përmendur nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas tij, një qasje e tillë nuk do të gjejë mbështetje popullore. “Një grusht i fortë nuk do të thotë arsye e fortë. Bota nuk mund të kthehet në ligjin e xhunglës”, u shpreh Wang.