Një apartament i përshtatur për kultivimin e kanabisit është zbuluar pasditen e sotme në qytetin e Sarandës. Gjatë operacionit policor janë gjetur dhe sekuestruar rreth 250 rrënjë kanabis, të kultivuara brenda ambientit të një pallati në zonën e njohur si “Turizmi”, në rrugën Butrinti. Policia ka arrestuar në flagrancë një shtetas nga Tirana, i cili kujdesej për kultivimin dhe mirëmbajtjen e bimëve narkotike. Sipas burimeve, ambienti ishte përshtatur si “shtëpi bari”, ku ishin instaluar llamba ndriçimi, aparatura ventilimi dhe pajisje të tjera speciale për rritjen dhe tharjen e lëndës narkotike.