I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademaj, Granit Plava ka ndryshuar deklaratën e tij para trupit gjykues në Prishtinë. Plava ka treguar se ka pasur marrëveshje me Naim Murselin, bashkëshortin e Liridonës e të akuzuarin tjetër për vrasjen e saj. Marrëveshja me Naimin ka qenë. Kam qenë në dijeni për veprën penale për të cilën akuzohem tash, por asnjëherë nuk ma ka treguar personin. Vetëm më ka thënë: ‘Ti duhet të marrësh përgjegjësinë dhe për dy vjet të nxjerr nga burgu. Ti e di çfarë pushteti kemi ne’. Plava që akuzohet si ekzekutori, ka thënë se Naim Murseli i ka treguar që edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ishte në dijeni për marrëveshjen. Ai ka shtuar se i ishin premtuar 1300 euro në muaj pas realizimit të vrasjes.