Një breshkë deti është shpëtuar mesditën e sotme në zonën bregdetare të jugut, pasi kishte ngecur në rrjetat e peshkatarëve të hedhura shumë afër bregut, një praktikë e ndaluar që po kthehet në rrezik serioz për gjallesat detare. Sipas informacioneve, breshka ishte gjetur në gjendje të rëndë, me kokën e mbështjellë në rrjetë dhe pa mundësi për të lëvizur. Aksioni i shpëtimit u krye nga një grup aktivistësh mjedisorë, mes tyre Kosta Xhaho, pjesë e organizatës më të madhe mjedisore në vend, PPNEA, e cila prej vitesh merret me monitorimin e fokave dhe breshkave detare.