Prej dy muajsh, Albion Thaqi i është bashkuar Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Si student i diplomuar i mjekësisë në Anglia Ruskin University në Londër, ka zgjedhur që praktikën në një sistem tjetër shëndetësor ta kryejë në Kosovë, që thotë se ka qenë zgjedhja e tij e parë që në fillim të studimeve. “E kam vendosur gjithmonë Kosovën, ka qenë gjithmonë i njëjti vendim për mua. Arsyet janë të shumta. Ky është vendi im, kam dashur të jap kontributin tim”, tha studenti i Mjekësisë Albion Thaqi.