Shfaqja “Rendi i ri” e dramaturgut spanjoll Sergi Pompermayer ka çelur sezonin e ri teatror në skenën artistike, në qytetin e Gjirokastrës. E interpretuar për artdashësit nga aktorët e teatrit shëtitës “Çajupi” kjo pjesë trajton problematikat me të cilat përballet shoqëria bashkëkohore. Ngjarja zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër katër rrëmbyes e dy të rrëmbyera (nënë e bijë), që instinktivisht janë nën kthetrat e urrejtjes dhe grindjeve të vazhdueshme për vendin, pasiguri me trazira, me krizë demokracie, vënie në pikëpyetje të drejtësisë, abuzimin emocional, kompleksitetin e pakënaqësisë dhe anarkinë.