Bashkimi Evropian i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë reforma dhe masa konkrete për të përmirësuar lirinë e medias, si një ndër elementët kyç në procesin e anëtarësimit. Në takimin përmbyllës “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”, një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit pranë Universitetit të Tiranës”, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e një debati të hapur dhe gjithëpërfshirës për lirinë e shprehjes si një shtyllë themelore e demokracisë.