Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër Dunavat në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë. E lindur dhe rritur në këtë lagje mes gurëve, rrugicave dhe kujtimeve, ajo përfaqëson gruan tipike qytetare, të përkushtuar ndaj shtëpisë, por me një pasion të veçantë për artin e punimeve me cimbë, një teknikë delikate që ka zbukuruar prej shekujsh veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.