Tre nga të akuzuarit për krime lufte që po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2019: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë gjasa të lirohen përkohësisht. Për këtë Dhomat e Specializuara në Hagë kanë kërkuar nga Policia e Kosovës informacione lidhur me autorizimet dhe kapacitetet për t’i zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin e mundshëm të tyre. Në urdhër thuhet se informacionet duhet të ofrohen brenda dy javësh. Avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara në Hagë, Artan Qerkini tregon se lirimi i përkohshëm nënkupton zëvendësimin e masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak.