Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryediplomatin amerikan, Marco Rubio, në Departamentin amerikan të Shtetit. Osmani tha se me sekretarin amerikan të Shtetit ka diskutuar për mundësitë e forcimit të “aleancës mes dy vendeve, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim”. Përtej falënderimeve për mbështetjen që Amerika po i jep Kosovës për sovranitetin dhe integritetin territorial, Presidentja Osmani ka biseduar me Sekretarin Rubio edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit strategjik mes dy vendeve.