Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në Konferencën e XXII Kombëtare të Gastro- Entero- Hepatologjisë, ku vlerësoi rëndësinë e mjekut në shoqëri. “Mjekësia, profesioni i mjekut, nuk është thjesht zanat; është një mënyrë të menduari që e merr me vete kudo. Ajo të mëson të dëgjosh dhe të hulumtosh me kujdes, të kërkosh shkakun përtej simptomës dhe të mos harrosh se pas çdo diagnoze qëndron një histori njerëzore”. “Sistemi shëndetësor nuk qëndron mbi ndërtesa, por mbi profesionalizmin, integritetin dhe sakrificën tuaj”, iu drejtua Presidenti mjekëve, duke theksuar edhe sfidat me të cilat përballet mjekësia sot, përfshirë inteligjencën artificiale. “Teknologjia ndihmon. Inteligjenca artificiale orienton. Por vendimin e merr mjeku. Sepse mjekësia nuk është vetëm shkencë; është gjykim dhe përgjegjësi, është etikë dhe marrëdhënie njerëzore. Brenda pak sekondash, inteligjenca artificiale mund të analizojë mijëra imazhe endoskopike, por ajo nuk mund të ndiejë shtrëngimin e dorës së një pacienti që ka frikë nga diagnoza”. Kreu i Shtetit u ndal te rëndësia e marrëdhënies mes mjekut dhe pacientit, duke e cilësuar të pazëvendësueshëm rolin human të mjekut dhe përgjegjësinë e tij përballë transformimeve teknologjike.