Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën ftoi partitë opozitare në takim për të marrë komentet e tyre për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Përveç kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut ajo nuk takoi liderët e AAK-së dhe PDK-së. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj nuk u takua me presidenten pasi kjo e fundit u vonua në takim. “Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, u tha nga partia opozitare.