Ambasada amerikane në Prishtinë ka reaguar ashpër pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe, duke e cilësuar atë “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”. “Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë. Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.