Problemet e Volodymyr Zelenskyt nuk kanë fund. Detyra e tij tani është se si të shmangë një përplasje me Donald Trump , t'i mbajë partnerët e tij evropianë të bashkuar, por edhe t'i bindë ukrainasit se nuk do t'a shesë tokën që mbrojtën me gjak. Në prag të takimit të tij të nesërm në Uashington me presidentin amerikan, Zelensky përpiqet të shmangë çdo përplasje me Donald Trump, si ajo e 28 shkurtit të kaluar që çoi në bllokimin e ndihmës ushtarake amerikane për gati dy muaj. Ndërkohë që Evropa ka marrë përsipër pjesën më të madhe të ndihmës ushtarake, sfida tjetër e Zelenskyt është të mbajë të bashkuar partnerët evropianë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Evropës po tensionohen. Së fundmi burime të Shtëpisë së Bardhë kanë përmendur si një ofertë të re nga Vladimir Putini: një marrëveshje potenciale paqeje që përfshin një tërheqje të Ukrainës nga Donbasi dhe premtimin rus për të mos sulmuar vende të tjera evropiane. Në këmbim, Rusia do të hiqte dorë nga pretendimet për territore të tjera në Zaporizhia dhe Khersoni, ndonëse jo për Krimenë, e cila mbetet linja e kuqe e palëvizshme për Moskën.