Sot zhvillohet seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Prokurori James Pache argumentoi se mbrojtja e Thaçit ka bërë përpjekje “të dështuara” për ta legjitimuar ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe një delegacioni të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998. “Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit për ta bërë të ligjshme paraburgosjen e delegacionit parlamentar [të Lidhjes Demokratike] në Qirez më 1998, janë të dështuara po ashtu”, tha Pache. “Gjatë argumenteve mbrojtja e Thaçit pretendoi se UÇK-ja ka pasur arsye ushtarake për të ndaluar dhe pyetur anëtarët e delegacionit në Qirez. Një dëshmitar kishte thënë se dikush kishte ardhur në Qirez për të kërkuar çarmatosjen e UÇK-së”. Pacho shtoi se, edhe sikur të kishte kërkesa për çarmatosje, kjo nuk mund ta arrinte pragun e domosdoshëm për paraburgosje. “Propozimi se grupet e armatosura mund ta ndalojnë çdo civil i cili kërkon opozitë paqësore dhe jo rezistencë të armatosur, është i rrezikshëm dhe kundërligjor dhe deklarata e një anëtari të delegacionit nuk mund ta arsyetojë arrestimin e tërë anëtarëve. Edhe po të kishte arsye legjitime për ndalim fillestar, juridikisht nuk ka pasur arsyetim për keqtrajtimin e të paraburgosurve”, shtoi ai. Ai tha se anëtarët e delegacionit kanë dhënë dëshmi se janë rrahur dhe keqtrajtuar gjatë ndalimit nga UÇK-ja në Qirez.