Një stuhi e fuqishme goditi disa pjesë të Kroacisë të shtunën në mbrëmje, ndërsa skenat më dramatike u panë në Karlobag, ku rrugët u përmbytën tërësisht, të shoqëruara me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu. Qytetarët mezi arritën të strehoheshin, ndërsa dallgët e shiut krijuan pamje kaotike. Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik ka lëshuar një paralajmërim për rajonet e Zagrebit, Karlovacit dhe Rijekës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është nën paralajmërim portokalli. Sipas autoriteteve, një ciklon në shtresat e larta të atmosferës dhe depërtimi i ajrit të lagësht e të paqëndrueshëm po krijojnë kushte për stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe rënie të menjëhershme të temperaturave.