Deputeti socialist, Erion Braçe tha në Kuvend se në Shqipëri “pastrohen paratë e pista nga mëngjesi në mbrëmje”, por sipas tij, ky është fenomen edhe në vendet fqinje. Braçe tha se mbështet kërkesën e opozitës për ta luftuar këtë fenomen, ndërsa parlamenti duhet të ushtrojë kontrolle në punën e institucioneve përkatëse. “Edhe Vatikani ishte në listën gri për pastrimin e parave të pista. Nuk e bën dot këtë debat, sill sa të duash fakte dhe argumente, është e vështirë. Është e kotë, thuaj sa të duash janë angazhuar një mori me institucione, lexo sa të duash rreshta që thotë kemi dalë nga lista gri, prapë është e kotë, ju vazhdoni ta bëni këtë gjë. Po, në Shqipëri pastrohen para të pista nga mëngjesi në mbrëmje. As se mohon dot kërkush, por ka akte që ligji ka ngarkuar të merren me këtë fenomen. Ka kallëzime për pastrimin e parave edhe në sektorin e ndërtimit. Ka akte të qarta për këtë fenomen. Infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista, kjo është e qartë. A duhet të ushtrojë parlamenti kontrolle mbi këto institucione? Po, për t’i detyruar t’i shkojnë deri në fund këtij fenomeni. Nuk ka asnjë të keqe edhe kur e kërkon opozita në mënyrë të qartë. Është fenomen që ekziston kudo, ja ku e keni dhe Italinë. A luftohet ky fenomen? Po. Ne ishim në listën gri se kishim masa të pamjaftueshme, kemi dalë nga ajo listë, por duhet të shkojmë më tej. Ky është proces që duhet të angazhojë të gjitha agjencitë ligjzbatuese. E gjej të drejtë edhe kërkesën e opozitës. Të gjitha institucionet duhet të kenë raport për punën e bërë. Po kjo histori nuk shkon” – tha Braçe.