Ndikimi në rritje i Kinës dhe Rusisë në Evropë e më gjerë, u ngrit si shqetësim në Uashington. Në një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan mbi sigurinë ndërkombëtare, ekspertja shqiptare në Këshillin Atlantik, Valbona Zeneli, kërkoi një qasje me të koordinuar të Perëndimit ndaj zgjerimit të pranisë ekonomike dhe strategjike të Pekinit në kontinent. Duke i quajtur Kinën dhe Rusinë dy “shokë të çuditshëm”, e ndërsa vuri në dukje se gjatë dy viteve të fundit presidenti kinez, Xi Jiping, dhe ai rus, Vladimir Putin, janë takuar mbi 40 herë, ekspertja shqiptare iu paraqiti ligjvënësve amerikanë tre rekomandime kryesore për t’i bërë ballë ndikimit të tyre.