Pranë Kishës së Shna Ndout në Laç është hapur për herë të parë këtë sezon veror Qendra Shëndetësore Verore. Shërbimi i ri synon t’u vijë në ndihmë mijëra pelegrinëve që vizitojnë këtë vend të shenjtë, veçanërisht në ditë me temperatura të larta dhe fluks të madh besimtarësh. Orët e para të së martës së tretë të muajit gusht e gjetën Kishën e Shna Ndout të mbushur me vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Mes tyre kishte të moshuar, të rinj dhe fëmijë, të cilët pasi kryen ritet fetare, përfituan nga shërbimet e qendrës shëndetësore të ngritur enkas për këtë sezon.