Integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane brenda vitit 2030 dhe zgjedhjet në Partinë Socialiste ishin fokusi kryesor i kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist. Sfida e të gjitha sfidave, tha Rama para deputetëve, mbetet procesi i integrimit. “Kjo është sfida e sfidave jo për ne, por është sfida e sfidave për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë, duke vulosur përkatësinë europiane të Shqipërisë edhe duke siguruar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Mesazhi i dytë i kryeministrit për deputetët e majtë ishte riorganizimi i Partisë Socialiste para zgjedhjeve vendore të 2027-ës. “Ne kemi hyrë në këtë proces për të energjizuar komplet Partinë Socialiste në funksion të zgjedhjeve vendore. Se përballë ne kemi vetëm veten, sfidën që kemi për të realizuar misionin tonë”.