Zmadhimi i Bashkimit Europian nuk do të ndodh me shpejtësi pa përmbushur kriteret e pasjes së një demokracie të fortë. Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos nga Strasburgu përcolli një mesazh për rrugëtimin e Ballkanit drejt Europës, në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e Belinda Ballukut. “Asnjë kalë Troje. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen shtete anëtare. Duhet të sigurohemi plotësisht për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve. Natyrisht, nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në reforma. Qytetarët tanë europianë e presin këtë nga ne, nga unë dhe nga ekipi im”, tha Kos. Pas 82 votave kundër SPAK-ut, edhe delegacioni europian në Tiranë i kërkoi politikës shqiptare të mos pengojë punën e drejtësisë në luftën ndaj korrupsionit, si elementi më thelbësor në procesin integrues. Një reagim i prerë erdhi dhe nga Ambasada gjermane që theksoi se çështjet penale të ndjekura me dobishmëri edhe në rastet e zyrtarëve të lartë është kusht për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, shkruan Ambasada Gjermane në Shqipëri. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe ambasada e Holandës, që vlerëson hap vendimtar për integrimin luftën penale ndaj korrupsionit. “Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi”, shkruan Ambasada Holandeze. Që para nisjes së seancës së Ballukut, Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi me një mesazh të prerë drejtuar politikës shqiptare se “Imuniteti parlamentar nuk mund të jetë pengesë për llogaridhënie para ligjit”!