Në Dubai dhe në vende të ndryshme të Emirateve të bashkuara Arabe ndodhen zyrtarisht rreth 1500 shqiptarë që punojnë dhe jetojnë atje. Në kushtet e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kryeministri Edi Rama zhvilloi një komunikim të posaçëm online me ambasadorët e Shqipërisë, duke kërkuar angazhim maksimal të rrjetit diplomatik për garantimin e sigurisë së shtetasve shqiptarë në vendet e prekura. Gjatë bisedës online, Rama u kërkoi diplomatëve që të kenë kontakte të vazhdueshme me komunitetin shqiptar në këto zona dhe regjistrimin e plotë të tyre pranë përfaqësive diplomatike për çdo kërkesë apo nevojë që mund të lindë si pasojë e zhvillimeve të fundit. Gjatë bisedës online, Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha, i propozuar nga kryeministri për postin e ministrit të jashtëm nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së kontakteve të rregullta me shtetasit shqiptarë.