Ky është momenti kur ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, lë ambientet e Burgut të Fierit, pak orë pasi Gjykata e këtij qyteti vendosi t’i japë lirinë me kusht, pasi kishte kryer 2/3 e dënimit. Jashtë dyerve të burgut, Salianjin e prisnin dhjetëra mbështetës e simpatizantë. Ish-deputeti demokrat përshëndeti mbështetësit, që e pritën me duartrokitje e përqafime, dhe dha mesazhin e parë të lirisë, duke e cilësuar politik dënimin e tij. Ndalesa e parë e ish-deputetit pas lirimit nga burgu ishte në një fshat të Fierit, që votoi për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 Majit.