Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në kuvendin e partisë të mbajtur të shtunën ai i mbijetoi votëbesimit me 164 vota pro qëndrimit të tij në krye të partisë e 136 kundër. Abdixhiku pasi mbeti kryetar i LDK-së njoftoi se kuvendi miratoi dy deklarata politike, një për situatën politike e një përmes së cilës synohet rikonstruktimi i partisë. Ndryshe nga deklaratat e hapjes së punimeve të Kuvendit ku Abdixhiku sulmoi ata që kërkuan dorëheqjen e tij të parevokueshme, pas votëbesimit u bëri thirrje të qëndrojnë afër LDK-së. Për situatën politike në Kosovë dhe qëndrimet e LDK-së, Abdixhiku tha se do të ketë diskutim me gjithë spektrin politik për çështje si ajo e presidentit.