Ministria e Brendshme ka miratuar urdhrin për vetë-deklarimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, AMP-së dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur aplikacionet e mesazheve të fshehta, SKY ECC apo Encro Chat. Urdhri shoqërohet nga formulari përkatës dhe është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë. Formulari i Vetëdeklarimit po u shpërndahet për plotësim, strukturave të mësipërme dhe do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve. Çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, sipas urdhrit të Ministrisë së Brendshme do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës.