Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, partitë nuk kanë gjetur një kandidat konsensual. Megjithatë, pas takimeve të së hënës, fillimisht me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i gatshëm të japë nga 30 nënshkrime për dy kandidatë. I pyetur pse nuk e kandidon Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër, Kurti tha se duhen më shumë se 80 deputetë në sallë për t’u evituar zgjedhjet.